USAplanet
Friday, October 29, 2004 2:55 AM

kujtime
Aksioni i Gërxhunit për kapjen e postës sekrete të fashizmit që transportohej nga Gusmari në Tepelenë
Vrasja e spiunit të fashizmit, Gani Shehu
Patriotizmi i dëshmorit Dalip Seferi ndihmoi realizimin e aksionit
Hekuran Pobrati
Bashkë me ndezjen e urrejtjes ndaj okupatorit fashist të vendit dhe bashkëpunëtorëve të tyre, detyrë që realizohej sa përmes propagandës së gjerë e punës së organizuar, shtëpi më shtëpi e kokë më kokë nga komunistët e njerëzit e thjeshtë, patriotë e liridashës, natyrshëm rritej dhe kundërvënia e tij ndaj nesh.
E shprehur përmes prezencës në ngritje të pranisë së forcave të xhandarmërisë e ushtarëve italianë në Kurvelesh, por edhe të veprimeve e informatave të dhëna fashizmit nga spiunë e të shitur, të cilët duke vepruar fshehtazi, realizonin me djallëzi detyrat e okupatorit dhe administratës të paguar e ngritur nga ai. Nga ana tjetër, krijimi i çetës së parë partizane të Kurveleshit, e dyta në vend, pas asaj të Pezës ku militonin komunistët, që teksa përfaqësonte shkallën e lartë të patriotizmit, simbolizonte ndjenjën liridashëse të popullit të krahinës, bënë që Kurveleshi të shndërrohej në arenë përplasjesh politike. Mes liridashësve, patriotëve e komunistëve nga një krah, dhe të ashtuquajturëve nacionalistë, bashkëpunëtorëve të fashizmit dhe okupatorit, nga krahu tjetër.
Pas aksionit që çeta e Kurveleshit bëri për asgjësimin e shërbëtorit dhe spiunit të fashizmit, nënprefektit të Kurveleshit, ajo lëvizi e bëri rrugë të gjatë, duke kaluar nëpër disa stane e baza të njerëzve tanë. Në takime e biseda me ta, mësonim mbi jehonën dhe entuziazmin që kishte ngjallur asgjësimi i këtij bashkëpunëtori të shitur te fashizmi, duke rritur autoritetin dhe besimin tek lëvizja çlirimtare.
3 nëntor 1942
Ishte ditë me re dhe e freskët. Njësiti ynë prej pesë vetësh që drejtohej nga "Marengleni", arriti në fund të fshatit Lekdush, përballë Çoçkos. U ngjit mbi rrugën që të shpie në Tepelenë e ndali rrëzë një shkëmbi, në Gërxhun. Mustafai u kthye drejt nesh e tha: "E shikoj të arsyeshme t'ua përsëris edhe njëherë aksionin që do të kryejmë. Në këtë vend kemi ardhur t'i zëmë pritë korrierëve të fashizmit që kalojnë këtu, për të shpënë në Tepelenë, postën sekrete të nënprefekturës së Kurveleshit. Të gjithë pushtuesit ia kanë pasur frikën kësaj krahine, qoftë nga terreni dhe nga populli, që është dalluar në shekuj, në luftë kundër okupatorëve. Nga bijtë e tij, çdo ditë, por më tepër sot rreshtohen në frontin e luftës për liri. Kjo i ka trembur pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre, të cilët për të shtypur lëvizjen tonë çlirimtare, përveç masave ushtarake, bëjnë çmos të grumbullojnë informata mbi aktivitetin e simpatizantëve e kuadrove të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Për të zbuluar planet e okupatorit dhe veglave të tyre, për të marrë masa mbrojtjeje dhe për të bërë goditje të efektshme, duhet të kapim transportuesit e postës sekrete. T'ua marrim atë, për të zbuluar planet dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Postën e shoqërojnë karabinierë italianë e xhandarë. Rëndësi ka që aksioni të na japë të drejtën të konkludojmë mbi përmbajtjen e postës sekrete, për të cilën ne kemi interes.
Kapja e saj nuk është e lehtë. Ata që e transportojnë, jo vetëm janë të zgjedhur nga okupatori, por dhe të instruktuar ta maskojnë dhe mbrojnë atë. Gjakftohtësia dhe guximi ynë, do të bëjë t'i mbërthejmë shoqëruesit e saj, t'u marrim postën sekrete, për t'i treguar armiqve çfarë jemi në gjendje të bëjmë ne partizanët.
Posta në këtë vënd kalon në ditët e caktuara, nga ora dhjetë deri në dymbëdhjetë. E shumta një orë dhe duhet të mbërrijnë, përfundoi "Marengleni", duke na uruar suksesin.
Sipas porosisë u shpërndamë. Secili nga ne zuri vend në pozicionet mbi rrugë. Ishim vendosur në mënyrë të tillë, që prurësit e postës t'i fusnim në mes të pritës. Me syrin në shënjestër, ishim gati të gjithë.
Nuk kaloi shumë. Larg nxinin njerëz. Ishin të postës. Ne qëndronim në pozicionet tona, bërë rrafsh me gurët e Gërxhunit. Prisnim korrierët e fashizmit të afroheshin. I futëm në rrethimin që kishim parashikuar. Zëri i Mustafa Matohitit buçiti fuqishëm nga pozicioni: "Mos luani! Duart lart"!
Ata mbetën. Tentuan të vrapojnë nga erdhën, por shpejtësia jonë, veçanërisht e Dalip Tares që u hodh me kapërcim në rrugë e ju vu pas, i ndali në vend. Ngritën duart lart dhe qëndronin sikur ishin të ngjitur në xhade. I çarmatosëm. Pastaj i shoqëruam tek "Marengleni" duke pasur kujdes se mos asgjësonin postën. I bëmë kontrollin. Ata të zverdhur, strukën kokat poshtë uniformave.
Besoj e keni kuptuar se qëllimi ynë, i tha Mustafai, është çlirimi i atdheut dhe vendosja e pushtetit të popullit. Ne edhe mund t'ju vrisnim si tradhëtarë, por duke e ditur se jeni të gënjyer e shërbeni për një copë bukë, po veprojmë ndryshe. Po u lëmë të lirë. Të shkoni në shtëpitë tuaja. Dijeni se e drejta është me ne, dhe ne do të fitojmë. Turpi është në anën tuaj se duke i shërbyer okupatorit, luftoni kundër vetes. Pastaj iu drejtua në gjuhë të tyre ushtarëve italianë: "Nuk keni pse t'i lini kokallet në malet e Shqipërisë duke jua përdorur Duçja si mish për top".
Xhandarët dhe ushtarët italianë, dridheshin. Kërkonin mëshirë. "Marengleni" shfrytëzoi rastin dhe vazhdoi: "Këtë rradhë do t'ju lëmë me kaq, por pendimi dhe ndihma juaj, siç pohoni, duhet të nisë tani. Ku e keni postën sekrete. Vetëm nxjerrja dhe dorëzimi i saj do të na bindë".
Ata heshtnin. Dridhjet iu shtuan. Mustafai urdhëroi Dalip Taren dhe mua të kontrollonim me kujdes trupat e tyre. "Mos ki merak i tha Dalip Tarja, do t'ia shqepim rrobat që kanë veshur dhe do t'i kontrollojmë dhe birat e veshëve".
Filluam kontrollin. Xhandari që kontrollonim, i tronditur iu drejtua "Tigrit", (pseudonimi i Dalip Tares), për zotin s'di gjë, vetëm u them, se ata ma marrin xhaketën e nuk di çfarë fshehin në të. Dhe ku vemi, të njëjtën gjë na bëjnë. Fjalët e tij, na shtynë të ishim të vëmendëshëm në kontrolle dhe për rrjedhojë, në xhaketën e atij që ishte përgjegjës, midis të qepurave të qafores, në vend të kanavacës gjetëm të futur postën sekrete. Midis saj pamë një letër që informonte për bazat e lëvizjes, emra partizanësh, këshilltarësh dhe aktivistësh të zonës së Kurveleshit. Pastaj flitej për masat që duhet të merrnin ndaj tyre. Të dhënat ishin mbledhur nga Gani Shehu prej Nivice dhe letra, nënshkruhej prej tij.
Shoqëruesit e postës, xhandarë dhe ushtarë italianë, vazhdonin të na luteshin për faljen e jetës. Atyre u kishin thënë, po u zunë partizanët, ju vrasin.
Mustafa Matohiti duke i këshilluar i tha: "Jeni të lirë të shkoni në shtëpitë tuaja. Ne dëshirojmë që të ndiqni rrugën e luftës për lirinë e Shqipërisë, kjo është edhe e mira juaj, por bëni si të doni". Ata heshtnin. Ju kishte hyrë frika në palcë dhe nuk besonin se do i linim të lirë. Duke ikur, falenderuan me zë të dridhur.
Marengleni i shoqëroi me sy dhe na u drejtua ne: "Fjala e luftës për liri çan muret. Nuk bëmë keq që i lamë të lirë dhe në qoftë se nuk bëjnë siç u thamë ne, do mbeten dëshmitarët tanë para armiqve. Për të vërtetuar të kundërtën e propagandës së tyre, se gjoja partizanët vrasin dhe të pafajshmit".
Kur xhandarët u larguan, u mblodhëm rreth Mustafa Matohitit. Ai duke mbajtur letrat në dorë na u drejtua: "Të gjithë meritoni të lavdëroheni. Me veprimin e bërë, ia arritëm qëllimit. Nuk është vetëm Gani Shehu spiun i fashizmit. Kush vuri në rrugën e tradhëtisë Ganiun, ka bërë të tjerë pas tij. Jo më kot fashistët italianë dërguan në Kurvelesh e Gjirokastër, Tahir Kolgjinin për të udhëhequr operacionin e majit. Ky shërbëtor i tyre, siç ka rekrutuar e ngarkuar me detyra Gani Shehun, ka vepruar dhe me të tjerë. Zbulimi i këtij bashkëpunëtori të okupatorit, duhet të na rrisë vigjilencën dhe të na mobilizojë, për t'u dhënë dënimin që meritojnë tradhëtarëve të atdheut..."
Questa è la versione 'lo-fi' del Forum Per visualizzare la versione completa click here
Tutti gli orari sono GMT+01:00. Adesso sono le 1:09 AM.
Copyright © 2000-2014 FreeForumZone snc - www.freeforumzone.com